DURRES– Vetëm në harkun kohor të 3 muajve të fundit në Durrës numërohen tre raste të grabitjes së kambistëve. Ai i një dite më parë rezultoi më tragjiku, pasi 46 vjeçari Fatmir Kotarja, gjatë rezistencës që u bëri grabitësve u plagos dhe më pas humbi jetën gjatë rrugës për në spital. Gjatë viteve të fundit, kambistët janë bërë shpesh pre e sulmeve të grabitësve jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Fakti që shumë prej tyre lëvizin me shuma të mëdha parash me vete, i bën ata një pre e lakmuar për hajdutët. Vetëm në nëntorin e vitit të kaluar në qytetin bregdetar u regjistruan dy sulme ndaj personave që merren me këmbimin e parave dhe shumat e vjedhura ishin të konsiderueshme.

Në ditët e para të muajit nëntor kambisti 63-vjeçar Hysni Baganaci dhe gruaja e tij përjetuan një tmerr të vërtetë kur persona të maskuar dhe të armatosur me thika e kaçavida u futën në shtëpinë e tyre dhe u vodhën nga kasaforta 22 milion lekë. Ngjarja u regjistrua në banesën e kambistit në fshatin Katund-Sukth.

Baganaci ka një pikë këmbimi valutore në qendër të qytetit të Durrësit ku ushtron veprimtarinë e kambizmit prej shumë vitesh dhe kjo e nëntorit ishte hera e tretë që grabitësit i merrnin shuma të mëdha parash.

Rasti tjetër u regjistrua në datë 21 nëntor, kur kambisti Agim Balla, 53 vjeç, u sulmua nga dy persona të armatosur, që i grabitën shumën prej 5 milion lekësh. Ngjarja u regjistrua në lagjen nr.9 të qytetit, pranë muzeut të dëshmorëve. Kambisti Balla u grabit sapo kishte dalë nga shtëpia e tij. Balla ishte grabitur edhe njëherë tjetër kohë më parë.

Policia në asnjë rast nuk ka arritur të zbulojë autorët e grabitjes së kambistëve duke ngjallur edhe më tepër frikë mes rradhëve të këtyre të fundit, pasi nuk rrezikojnë vetëm vjedhjen e shumave të mëdha lekësh, por në rradhë të parë jetën e tyre.