ITALI – Vëllai i shqiptarit, Artan Meta, i cili u rrah dy ditë më parë për vdekje nga një italian 18 vjeçar kërkon drejtësi. Arben Meta, i cili ndodhet pranë të vëllait që është në gjendje kome prej dy ditësh është shprehur për një televizion italian se “drejtësia është një për të gjithë dhe ai që i rrahu dhe i ofendoi rëndë të vëllanë është ende i lirë. Por unë besoj se drejtësia do të veprojë”. Menjëherë sapo ka marrë vesh atë çfarë i kishte ndodhur të vëllait 45 vjeçar, Arben Meta, ka rendur drejt spitalit Brotzu, në Kaljari.
Tronditja për të ka qenë mjaft e madhe aq sa kur e ka parë vëllanë në atë gjendje ka humbur ndjenjat. Ai shprehet se nuk ia ka treguar ende nënës së tij se çfarë i ka ngjarë Artanit, pasi i trembet fakti se ajo mund ta përjetojë ngjarjen shumë keq. I pyetur nga gazetarët italianë se si është gjendja e të vëllait, Arbeni thotë se Artani vazhdon të jetë në gjendje kome dhe gjithçka është në dorë të zotit. Në fund të intervistës për një televizion të Sardenjës, ai përsërit edhe njëherë apelin që autori i rrahjes të arrestohet, pasi më shumë se çdo gjë atë e kanë acaruar komenti i 18 vjeçarit italian në rrjetin social Facebook, i cili ka shkruar se “do kishte dashur ta vriste fare shqiptarin”.
Ngjarja
Një shqiptar 45 vjeç është ofenduar dhe rrahur për vdekje ditën e premte, nga një i ri 18 vjeçar, Nicholas Melis, dhe tani ndodhet në gjendje kome në repartin e reanimacionit në Brotzu, Kaljari. Artan Meta punonte në një bar të zonës dhe ishte mjaft popullor në provincën Villasor.
Mëngjesin e së premtes, ndërsa ndodhej në lokalin Mondial, ku punonte, i kishte tërhequr vëmendjen një të riu që po godiste me shkelma distributorin e cigareve, pasi nuk i kishte kthyer reston. Kaq ka mjaftuar që 18 vjeçari, Nicholas Melis, ta kthente gjithë inatin e tij ndaj 45 vjeçarit. Sipas policisë italiane ai e ka goditur me shkelma në fytyrë dhe gjoks shqiptarin duke i shkaktuar plagë të rënda.
45 vjeçari Meta është dërguar menjëherë në spitalin Brotzu të Kaljarit, ku i është nënshtruar një operacioni për të ndalur një hematomë të hapur në gjoks. Më pas është shoqëruar për në repartin e reanimacionit në gjendje kome.





