Me kërkesë të autoriteteve të drejtësisë italiane, Gjykata e Tiranës ka ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë të shumëkërkuarin Gëzim Çela.
45 vjeçari ishte dënuar nga drejtësia italiane me rreth 20 vjet burg, për vepra të ndryshme penale, si “shfrytëzim prostitucioni, në rrethana rënduese”, “organizata kriminale”, “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” etj.
Sipas të dhënave, arrestimi është kryer në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga gjykatat italiane, ku Çela akuzohej si kreu i një organizate kriminale shqiptare që vepronte në linjat e trafikut në Itali.
Burimet bëjnë me dije se Çela është arrestuar disa herë në Shqipëri dhe më pas është liruar në rrethana misterioze.
Arrestimi i 45-vjeçarit është bërë në momentin ku ai deportohej me linjat ajrore nga Turqia, ku kishte shlyer dënimin prej 6 vitesh burg, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Gëzim Çela është i njohur në Shqipëri për mënyrën sesi mundi t’i shmanget shlyerjes së një dënimi me 5 vite burg për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.





