ITALI – Kur kanë kaluar gati dy ditë nga vrasja e 47 vjeçares shqiptare, Donika Xhafa, nga 58 vjeçari italian Raffaele Vorraro, nisin të zbardhen arsyet që e çuan autorin e krimit të qëllonte me 4 plumba mbi ish-gruan e tij. Siç raportojnë mediat italiane, çifti kishte qenë deri para 3 vitesh i martuar, por pas kontradiktave mes tyre Donika Xhafa ishte larguar nga shtëpia dhe më pas dy bashkëshortët ishin ndarë. Vorraro kishte shkuar atë natë në Vercelli, provinca ku banonte 47 vjeçarja shqiptare së bashku me dy fëmijët e saj 20 dhe 22 vjeç, frut i një martese të mëparshme, dhe për të disatën herë i kishte kërkuar ish gruas së tij të riktheheshin bashkë.
Megjithëse marrëdhënia ishte mbyllur 3 vjet më parë, Raffaele Vorraro nuk mund ta pranonte ndarjen dhe për këtë arsye kishte insistuar shpesh që të ribashkoheshin. Mbrëmjen e së enjtes çifti u takua për herë të fundit, por duket se refuzimi i Donika Xhafës për t’u rikthyer me ish bashkëshortin e saj italian ka nxitur reagimin e këtij të fundit.
Ndërsa Donika i ka thënë për të fundit herë Jo dhe ka tentuar të zbresë nga makina Vorraro, i prekur nga një krizë xhelozie, ka nxjerrë pistoletën që e mbante me leje dhe ka shtënë mbi ish bashkëshorten e tij. Më pas ka zbritur nga automjeti dhe i ka qëlluar edhe tre herë të tjera duke e lënë të vdekur në mes të rrugës Garibaldi. Menjëherë më pas ka tentuar të largohet në drejtim të provincës së Astit, ku banonte, por kanë qenë dëshmitarët e pranishëm në rrugë ata që kanë njoftuar policinë për targën e mjetit me të cilën u largua autori i krimit.
Gjatë tentativës për të ikur nga vendi i krimit ai i ka telefonuar avokatit të tij duke i thënë: “Vrava gruan time. Dua të dorëzohem”. Pas kësaj, avokati i tij ka zhvilluar bisedime të gjata me policinë, që u përmbyllën me dorëzimin e Vorraros dhe dërgimin e tij në burgun Billiemme.
Policia ka zhvilluar seancën e parë të pyetjeve me Vorraron në burg, për të përsëritur më pas edhe njëherë rrëfimin e tij para gjykatëses Elena Rocci. Në të dy seancat, Vorraro ka shpjeguar arsyet që e çuan të qëllonte ndaj ish bashkëshortes së tij, por në shpjegimet lidhur me motivin e krimit është treguar konkuz.
Sipas agjentëve të policisë së Vercellit, mekaniku italian kishte lënë takim me ish gruan e tij, por refuzimi i kërkesës për ribashkim nga Donika Xhafa i kushtoi jetën kësaj të fundit.





