SHQIPERI – Fenomeni i gjakmarrjes ka marrë jo pak jetë njerëzish 22 vitet e fundit, ndërkohë që shumë të tjerë janë detyruar të ngujohen për t’i shpëtuar hakmarrjes së hasmit. Mediat shqiptare i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë këtij fenomeni, por ai nuk ka mbetur as jashtë vëmendjes së mediave të huaja. Një ndër këto është e përditshmja britanike “Daily mail”, që në faqen e saj online ka publikuar një reportazh për jetën e tre fëmijëve të vegjël shqiptarë, të cilëve gjakmarrja u ka vjedhur fëmijërinë.
Vëllezërit Zefi, 12 vjeç, Marseli, 7 vjeç dhe Marsela, 9 vjeç nuk i kuptojnë kënaqësitë e thjeshta të një fëmijërie të zakonshme. Kështu e nis reportazhin e saj gazeta britanike, gazetari i së cilës, Daniel Miller, ka udhëtuar 70 km në very të kryeqytetit Tiranë për të shkuar në fshatin Bardhaj, ku gdhijnë dhe ngrysin ditët e tyre këta vogëlushë.
Ata nuk shkojnë në shkollë ose të vizitojnë miqtë, madje të luash futboll rreth kopshtit të shtëpisë, është krejtësisht jashtë diskutimit. Në vend të kësaj të vegjlit kanë kaluar tërë jetën të mbyllur, brenda shtëpisë së tyre në fshatin Bardhaj. Ata janë të burgosurit e një gjakmarrje të familjes, e cila e bën daljen tyre jashtë shumë të rrezikshme.
Këta vëllezër janë në mesin e 900 fëmijëve të tjerë që qëndrojnë të fshehur në shtëpitë e tyre për të shmangur gjakmarrjen, në bazë të kodit të lashtë të njohur si Kanuni, i cili i jep të drejtë një personi të vrasë dikë në shenjë hakmarrje për një vrasje të mëparshme.
Vrasjet sipas Kanunit, vijon më tej Daily Mail, njihen me emrin gjakmarrje, praktikë që është e ngjashme me traditën italiane të marrjes së hakut për një vrasje të kryer. Më tej e përditshmja britanike sqaron se fenomeni i gjakmarrjes i ka rrënjët në mesjetë, madje sipas disa historianëve ai e ka origjinën nga Epoka e Bronzit.
Kodi vlen për të dy besimet, të krishterët shqiptarë dhe ata myslimanë, dhe rregullon të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë krimin, familjen, martesën, trashëgiminë e pasurisë, dëmet si dhe sjelljen personale apo atë sociale.
Duke bërë një retrospektivë të regjimit të kaluar në vendin tonë gazetari i Daily Mail thotë se “gjatë kohës së diktaturës, Kanuni ishte inekzistent, ndërsa ai u rikthye pasi Shqipëria nisi luftën e saj për t’u bërë një vend me demokraci moderne dhe të begatë. Shumë njerëzve u mungon besimi në sistemin e drejtësisë.
Megjithëse rregullat e Kanunit janë shkruar në mesjetë ai vazhdon të aplikohet sot pa asnjë ndryshim, pasi shumë prej rregullave të tij nuk janë adaptuar me kohët moderne dhe gjakmarrja vazhdon derisa të vritet edhe mashkulli i fundit i familjes. Sipas Kanunit gratë dhe fëmijët nuk duhet të preken, por gazetari i huaj nënvizon “se në jo pak raste edhe këto të fundit mbyllen në shtëpi për t’i shpëtuar hasmit.
Në shkrim theksohet se janë angazhuar mësues, të cilët shkojnë tre herë në javë në shtëpitë e të ngujuarve, në mënyrë që ata të paktën të mund të marrin njohuri në arsimin bazë.





