LEZHË- Vetëdorëzohet në polici Maringlen Përgjini, personi i akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Shtjefni në një lokal pranë kryqëzimit të Shënkollit në Lezhë.
Përgjini mohon të ketë ekzekutuar me dy plumba 26-vjeçarin, ndërkohë që deklaron se autor i vrasjes është Ergys (Ëngjëll) Nika.
Pas dorëzimit të Komisariatin e Kurbinit, Përgjini deklaron se është vetëdorëzuar që të zbardhet e vërteta
Pas ngjarjes së ndodhur më 9 janar, Policia e Lezhës shpalli në kërkim si autor të vrasjes 26-vjeçarin Përgjini, ndërkohë që arrestoi shtetasit Ëngjëll Nika (i plagosur në këmbë) dhe Anton Toni, me akuzën për moskallëzim krimi.
"Më 9 janar kam qenë në Lezhë me të dashurën time. Ndërkohë, më merr në telefon Anton Toni dhe më kërkon të takoheshim tek lokali në kryqëzimin e Shënkollit, ku kishte muzikë. Shkova atje dhe sapo zbrita nga makina, qëllova dy herë në ajër me pistoletë për qejf. Hyra në lokal, por të dashurën e lashë në makinë, pasi nuk do rrija shumë", – tregon Përgjini. Ai shprehet se, në momentin që ka hyrë brenda, ka përshëndetur viktimën, i cili ishte i shoqëruar me një person. "U ula në tavolinën ku ishin dy vajza, të cilat rrinin gjithmonë me Antonin dhe Ergysin, pasi ata të dy nuk ishin për momentin. Pas pak erdhën të dy. Gjatë bisedës, Ergysi më tregoi se kishte një konflikt me personin që qëndronte me Martinin. Largohem për një moment dhe kur kthehem, Martini së bashku me personin tjetër ishin ulur tek tavolina jonë. I kisha thënë Martinit se doja të shisja makinën dhe ai më kërkoi numrin e telefonit. Dolëm nga lokali për të shkëmbyer numrat e telefonit, pasi brenda ishte zhurmë. Hymë sërish dhe sapo u ulëm në tavolinë, Ergys Nika nxjerr pistoletën dhe qëllon mbi Martin Shtjefnin. I thashë "çfarë bëre?" Ai menjëherë hedh pistoletën në tavolinë, duke më thënë edhe ai "çfarë bëre?".
Menjëherë 26-vjeçari i akuzuar ka shkuar në banesën e tij në fshatin Manati, ku ka takuar të vëllanë, ndërsa armën që kishte vetë e ka hedhur rrugës. "Pistoletën time e kam hedhur në rrugë për të evituar kontrollet që mund të bënte policia. Unë mundem t'i tregoj policisë vendin ku është hedhur arma, që të ekzaminojë gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Kam qëndruar në hotel, ku edhe e kam parë emrin tim në televizor", – tregoi ai.
26-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Martin Shtjefnit deklaron se, pas ngjarjes i ka dërguar fjalë familjes së viktimës, ku i ka thënë se nuk ka gisht dhe mund të bëjë be sipas Kanunit dhe të përgjigjet para ligjit, ndërsa i bën thirrje policisë të zbardhë të vërtetën për vrasjen e Martin Shtjefnit.





