ITALI – Një shqiptar, 45 vjeç, është ofenduar dhe rrahur për vdekje nga një i ri 18 vjeçar dhe tani ndodhet në gjendje kome në repartin e reanimacionit në Brotzu, Kaljari. Artan Meta punonte në një bar të zonës dhe ishte mjaft popullor në provincën Villasor.

Mëngjesin e së premtes, ndërsa ndodhej në lokalin Mondial, ku punonte, i kishte tërhequr vëmendjen një të riu që po godiste me shkelma distributorin e cigareve, pasi nuk i kishte kthyer reston. Kaq ka mjaftuar që 18 vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ta kthente gjithë inatin e tij ndaj 45 vjeçarit. Sipas policisë italiane ai e ka goditur me shkelma në fytyrë dhe gjoks shqiptarin duke i shkaktuar plagë të rënda.

45 vjeçari Meta është dërguar menjëherë në spitalin Brotzu të Kaljarit, ku i është nënshtruar një operacioni për të ndalur një hematomë të hapur në gjoks. Më pas është shoqëruar për në repartin e reanimacionit ku ndodhet në gjendje kome farmaceutike.