ITALI – Një emigrant shqiptar është arrestuar në Itali, pasi ka dhunuar karabinierët italianë gjatë ndalimit. Në automjetin me të cilin udhëtonte, që nuk ishte në pronësi të tij dhe i pa siguruar, policia italiane ka gjetur një sërë veglash që dyshohet se shqiptari i përdorte për të grabitur.
Ilir Osmani, 22 vjeç, ishte duke udhëtuar me një automjet Lancia Y, së bashku me dy persona të tjerë që dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tij. Në një postobllok policie ai nuk i është përgjigjur thirrjes së karabinierëve të Trentola Ducenta, për të ndalur.
Pas kësaj policia është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugët e qytetit, madje mediat italiane raportojnë edhe për një ndjekje në këmbë derisa karabinierët kanë mundur ta ndalojnë Osmanin. Por ndërsa kanë tentuar ta prangosin, karabinierët janë përballur me reagimin e tij të ashpër dhe pas përleshjes një nga policët italiane është dërguar në spital për t’u mjekuar nga plagët e marra.
Shqiptari është ndaluar për ushtrim dhune dhe rezistencë ndaj forcave të policisë dhe pas shoqërimit në komisariat është vënë në arrest shtëpie.





