KUKES– Mjegulla e dendur “ka rrethuar” sot Qarkun e Kukësit. Prania e saj ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve nëpër akset rrugore.

Situata më e vështirë ka qenë në aksin Kalimash-Kukës-Morin, ku mjegulla e dendur nuk ka lejuar qarkullimin e automjeteve me shpejtësi, jo më shumë se 50 kilometër në orë.

Mjegulla ka rënë që nga ora 19:00 e mbrëmjes së të enjtes dhe vijon me të njëjtën dendësi edhe gjatë ditës së sotme.

Policia rrugore ka rekomanduar drejtuesit e automjeteve që të bëjnë shumë kujdes gjatë përshkimit të rrugës pasi mundësia e aksidenteve automobilistike është shumë e madhe.

Mjegull ka pasur edhe në akset rrugore nacionale e komunale, ku në disa prej tyre janë regjistruar edhe aksidente fatmirësisht pa pasoja të rënda.