KAJRO-Sërish protesta të dhunshme në Egjipt. Policia është përleshur me demonstruesit në Sheshin ‘Tahrir’ në Kajro, sot herët në mëngjes.
Forcat e sigurisë kanë hedhur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit kanë gjuajtur gurë dhe koktej Molotov.
Me këtë demonstratë po shënohet dyvjetori i kryengritjes, nga e cila u përmbys ish-presidenti Hosni Mubarak.
Në përleshjet e sotme nuk është raportuar për ndonjë viktimë.
Kundërshtarët e presidentit të Egjiptit, Muhammad Morsi, kanë bërë thirrje për vazhdimin e demonstratave për ditën e sotme, duke thënë se Morsi dhe Vëllazëria Myslimane i kanë tradhtuar idealet e kryengritjes së para dy vitesh.
Vëllazëria Myslimane ka vendosur që të mos bëjë thirrje për kundër demonstratë, me qëllim që të ulet mundësia për dhunë.