ITALI – Një 47-vjeçare shqiptare është vrarë me 4 plumba nga bashkëjetuesi italian në Vercelli. Trupi i gruas është gjetur mbrëmjen e së enjtes në një rrugë pranë qendrës së qytetit.
Shqiptarja e vrarë është Donika Xhafa, e cila në fillim është qëlluar me një plumb në makinën me të cilën po udhëtonte bashkë me 59 vjeçarin Raffaele Vorrano, nga Cailliano (Asti) dhe më pas është qëlluar edhe tre herë të tjera pasi ishte zbritur nga makina.
Autori i krimit është larguar nga vendngjarja, por është vetëdorëzuar më pas në polici. Mësohet se Vorrano ka deklaruar para karabinierëve se “I kishte ikur mendja” në momentin e shkrepjes së armës. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ndërsa policia nisi hetimet për të zbardhur ngjarjen.





