TIRANE– Në postimin e tij, në minutat e fundit të ditës së enjte, kryeministri Berisha pasi shpreh entuziazmin e tij për faktin se Tirana është renditur nga forumi Intelligent Community Forum (ICF) në 21 Komunitetet Inteligjente të botës thekson se së shpejti Shqipëria do të kthehet në superfuqinë e ICT në rajon. Sipas kreut të qeverisë, një sipërmarrje e tillë do të krijojë mijëra e mijëra vende pune të reja për brezin e ri, brezin e “Shqipërisë dixhitale”.

Më poshtë do të gjeni postimin e plotë të kryeministrit në profilin e tij në Facebook.

"Të dashur miq! 
Një lajm shumë i mirë për ne të gjithë. 
Për herë të parë Tirana renditet nga forumi i mirënjohur Intelligent Community Forum (ICF) në 21 Komunitetet Inteligjente të botës, ndër të cilat janë Philadelphia, Toronto dhe vetëm 5 ishin nga Europa. 

Në motivacionin e ICF ndër të tjera thuhet: "Në Tiranë shtrirja e internetit me brez të gjerë po rritet shpejt si rezultat i rritjes së disponueshmërisë së tij dhe çmimeve shumë të ulta. Qëllimi i vendit është të bëhet "qendër teknologjike" për rajonin dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit po shndërrohet në një sektor kryesor për ekonominë" dhe se "Qeveria shqiptare ka investuar ndjeshëm në aplikimet e qeverisjes elektronike dhe ka inkurajuar sektorin privat ti ofrojë shërbime dixhitale klientëve". 

Duke falenderuar me mirënjohje të thellë të gjithë ata që bënë të mundur këtë arritje madhore në projektin tonë "Shqipëria dixhitale" une shpreh besimin tim më të madh se së shpejti, me mendjet dhe imagjinatën tuaj të pakufishme miqtë e mij të rinj, do të bëjmë Shqipërinë superfuqinë e ICT në rajon, ku do krijohen mijëra e mijëra vende pune të reja bazuar në trurin dhe energjitë tuaja.

Ne jemi ndryshimi. Përpara drejt Shqipërisë dixhitale, Shqipërisë së dijes! Miqësisht sb"