TIRANE – Zv/kryeministri dhe Ministri i Energjetikës, Edmond Haxhinasto, kërkon që marrëdhëniet politike me Çekinë të ndahen nga problemet e kompanisë CEZ. 

Gjatë një takimi të zhvilluar sot me ambasadoren e Republikës së Çekisë Bronislava Tomasova, ministri Haxhinasto theksoi se çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt. 

Gjatë këtij takimi, ministri theksoi se motivimi për privatizimin e sektorit jetik të shpërndarjes nga një kompani çeke ka qenë i bazuar në dëshirën për të pasur një performancë të lartë të standardeve europiane në këtë sektor dhe jo për të krijuar një problem që ka ardhur nga keqmenaxhimi i kësaj kompanie. 

“Problemi i shoqërisë CEZ Shpërndarje është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend.”- u shpreh ministri i METE-s. 

Ministri Haxhinasto theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE synon përsosjen e standardeve të tregut të lirë dhe kuadrit rregullator dhe jo përkeqësimin e tyre. Ai gjithashtu nënvizoi se tregu shqiptar është shumë i përshtatshëm për të tërhequr investimet e huaja në vend. 

Pak ditë më parë kryeministri çek Petr Necas kërcënoi Shqipërinë me bllokim për në Bashkimin Europian, pas vendimit për t’i hequr licencën kompanisë CEZ.