TIRANE – Një grindje për motive të dobëta ka rrezikuar t’i marrë jetën një të riu 24 vjeçar që ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë. Ngjarja është regjistruar një natë më parë në kryeqytet dhe protagonistë të sherrit kanë qenë Aglind Bejko, djali i ambasadorit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 24 vjeçari Martin Nonaj.

Dy të rinjtë janë zënë në ambientet e një lokali rreth orës 23.00 të së mërkurës dhe më pas kanë dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar. Pas debateve të ndezura Nonaj ka qëlluar me shpullë Bejkon, dhe ky i fundit nuk e ka zgjatur, por mendohet se ka nxjerrë pistoletën dhe i ka qëlluar personit me të cilin po konfliktohej. Sipas policisë grindja është shkaktuar për shkak të një shikimi.

Sipas policisë 24 vjeçari Nonaj ka marrë një plumb në këmbë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë vazhdon puna për ndalimin e djalit të ambasadorit shqiptar në EBA.