DURRES – Është shtyrë për ditën e hënë, datë 28 janar, ora 08.30, dhënia e vendimit për 80 vjeçarin Shaban Norja. Norja është paraqitur sot në seancë nën masa të rrepta sigurie dhe i veshur me antiplumb.
Prokurori i çështjes Sokol Nishani i ka kërkuar trupi gjykues dënimin e Norjes më burgim të përjetshëm. Avokati mbrojtës i tij, Osman Dashi, i cili seancën e kaluar pati kërkuar gjykim të shkurtuar për vrasësin e 18 vjeçares Ajshe Vatës, kërkoi sot kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen e klientit të tij.
Dashi deklaroi një seancë më parë se Norja ishte thellësisht i penduar për krimin e kryer. Nëse ditën e hënë trupi gjykues do ta dënojë Norjen me burgim të përjetshëm, që mund të konvertohet në 20 vite burg për akuzën e vrasjes dhe 5 vite për armëmbajtje pa leje, maniaku seksual pritet t’i kalojë vitet e mbetura të jetës së tij në burg.
Tre muaj më parë i moshuari tronditi opinionin publik, kur u zbulua se ishte ai vrasësi dhe masakruesi i kufomës së 18-vjeçares Ajshe Vata, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë.
Në 11 tetor të vitit të kaluar, në një arë me misër u zbulua trupi pa kokë i 18 vjeçares Ajshe Vata. Norja dhe viktima kishin një lidhje dashurore, që zgjaste prej disa vitesh. Ai ka pranuar se ishte babai i fetusit tre muajsh, ndërkohë që pas arrestimit ka deklaruar se vajza nuk kishte pranuar të abortonte dhe i ishte lutur 3 ditë me rradhë për ta vrarë, sepse nuk përballonte dot turpin.





