DURRES – Mbërriti paraditen e sotme arkivoli me trupin e pajetë të komisarit të Burrelit, Musa Skura. Moti i keq bëri që trageti i linjës Bari-Durrës, që solli në atdhe trupin e shefit të krimeve të Burrelit, të mbërrinte me vonesë. Trageti u ankorua në port rreth orës 10.00

Për të pritur trupin e komisarit që u plagos ë krye të detyrës kishin dalë në port shumë familjarë të të ndjerit si dhe autoritete shtetërrore dhe efektivë policie.

Nga ora 11:00-12:30 në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë do të kryhen homazhet e rastit dhe më vonë komisar Musa Skura do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, që do jetë edhe banesa e tij e fundit. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në orën 12:30 deri në 13:30. 

Skura u shpall dje “Dëshmor i Atdheut”, nga Komisioni Qendror për Statusin, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ndërkohë qeveria miratoi dje një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh ( të vjetra) për familjen e të ndjerit. 

Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura, u qëllua gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e datës 13 janar, në vendin e quajtur "Përroi i Kecit", në fshatin Suç të Matit. Ai qëndroi për dy ditë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirugjikale. Dy ditë pas ngjarjes, kreu i krimeve të Burrelit u dërgua për një ndihmë më të specializuar në spitalin “Padre Pio”, të Foggias në Itali, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.