TIRANE- Komisioni i Ekonomisë u mbyll mes panikut të disa prej anëtarëve të tij dhe mes të qeshurave të të tjerëve, kjo e shkaktuar nga plasaritja e tavanit në katin e fundit ku po zhvillohej mbledhja.
Fillimisht u dëgjua një kërcitje e fortë, që erdhi nga pjesa e tarracës, dhe pas kësaj copa të imëta suvaje ranë mbi kokat e deputetëve, disa prej të cilëve u çuan menjëherë nga karriget.
Komisioni u ndërpre për dy minuta dhe më pas kryetari Edmond Spaho e mbylli mbledhjen.
Plasaritja në tavan ndodhi pikërisht në njërën prej pjesëve ku kishte edhe gjurmë lagështire.
Kjo në fakt nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë.
Më herët salla e Komisionit të Ekonomisë ka pësuar një rënie të një pjese të mirë të tavanit, e cila nuk ka shkaktuar ndonjë pasojë për faktin e vetëm se shembja ka ndodhur në momentin kur nuk ka pasur njerëz.





