TIRANE – Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e deputetit Edi Paloka për ruajtjen e mandateve të vitit 2009. Opozita kundërshtoi me argumentin se ndarja e mandateve është kompetencë e KQZ-së dhe jo e Kuvendit.
Ndërkohë sipas deputetit socialist Gjiknuri, me këtë vendimmarrje të komisionit zgjedhjet janë automatikisht të paligjshme.
“Me këtë vendimmarrje që po bëni, me këtë njëanshmëri po i jepni që në fillim njollën këtyre zgjedhjeve. Kuvendi po luan si kasap politik për interesa të njërës palë.”- u shpreh Gjiknuri.
Më herët në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve u thirrën në një seancë dëgjimore kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së lidhur me debatin për ndarjen e mandateve. Kryetarja e KQZ-së dha sqarime në lidhje me shkresën që administrata e Komisionit Qendror i ka dërguar Kuvendit në kushtet kur ndarja e mandateve nuk u votua në KQZ. Lleshi nënvizoi se kjo nuk është hera e parë që administrata e KQZ-së komunikon përmes letrave me parlamentin.
Nga ana tjetër, nënkryetari i KQZ, Denar Biba theksoi se parlamenti nuk mund të pranojë të vihet në lëvizje nga një shkresë që siç tha ai, nuk mban firmën as të kryetares dhe as të nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.





