VLORE – Policia e Vlorës vuri në pranga një 24-vjeçar i cili dyshohet se është autori i sulmit me acid ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni, pak ditë më parë në Vlorë. 

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se i riu i arrestuar, Nertil Zotaj, ishte dënuar më parë bashkë me vëllain për vjedhje, nga gjyqtarja Mishgjoni dhe ishte i pakënaqur nga vendimi. 

Pasi ka mbaruar dënimin prej 11 muajsh burg dhe ka paguar 150 mijë lekë gjobë, i riu në shenjë hakmarrjeje ka sulmuar me acid gjyqtaren Mishgjoni, teksa kjo e fundit ishte duke dalë nga banesa e saj. Sipas policisë, 24-vjeçari pretendonte se është dënuar me masë më të rëndë dënimi. 

NJOFTIMI I POLICISE SE VLORES 

“Nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Vlorë ditën e djeshme është është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit: Nertil Janaq Zotaj, vjec 24, banues në Vlorë.  Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi më datë 16.01.2013 rreth orës 08:20 të mëngjesit në lagjen 29 Nëntori pranë shkollës “Ali Demi, ka sulmuar shtetasen Mirela Mishgjoni, me detyrë Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke i hedhur në pjesën e fytyrës acid të lëngshëm sanitar të cilin e kishte blerë dy ditë më parë në një dyqan ushqimor. 
Ky shtetas ka qenë i arrestuar më parë së bashku me vëllain e tij shtetasin Pauli Zotaj, për “Vjedhje” dhe është gjykuar e dënuar nga Gjyqtarja Mirela Mishgjoni me 11 muaj burg dhe 150.000 lekë gjobë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këtë veprim ky person e ka kryer me pretendimin se është dënuar me një masë dënimi më të rëndë nga ajo që i takon dhe se nuk është liruar në kohë pas vuajtjes së dënimit. 
Arrestimi i këtij shtetasi u krye falë një pune hetimore intensive, profesionale dhe të pandërprerë të Strukturave të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë ku në një kohë rekord janë kryer hetime dhe investigime ndaj gjithë personave dhe grupeve kriminale si dhe janë bërë objekt investigimi të gjitha proceset gjyqësor dhe personat e dënuar nga kjo gjyqtare vitet e fundit.” 

NGJARJA 

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka dalë nga pallati ku banonte dhe teksa i është afruar makinës së saj për të shkuar në Gjykatë, është sulmuar nga agresori. Ky i fundit mbante një shishe plastike në dorë, dhe menjëherë i ka hedhur acid gjyqtares në fytyrë dhe në pjesën e kraharorit. E ndërsa autori i krimit është larguar me vrap, Mishgjoni ka kërkuar ndihmë. Ajo është dërguar urgjentisht në spitalin e qytetit të Vlorës, ku ka marrë ndihmë mjekësore. 

Sulmi ndaj Mishgjonit ka alarmuar policinë e Vlorës, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë punuan intensivisht për zbardhjen e ngjarjes. 
Prokuroria hetoi dosjet e fundit, të cilat janë në proces apo janë gjykuar nga Mishgjoni, e cila prej vitesh gjykon çështje penale në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës.