CEKI – Kryeministri çek Petr Necas kërcënon Shqipërinë se qeveria e tij nuk do ta mbështesë vendin tonë në rrugën e integrimit për në Bashkimin Europian, pas vendimit për t’i hequr licencën kompanisë CEZ.
Në një intervistë të dhënë sot për Fox Business, kryeministri cek ka thënë se heqja e licencës së CEZ është një trajtim jo i mirë i investitorëve të huaj, ndërsa Shqipëria humb shanset për të pasur mbështetjen e Çekisë në BE.
“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për t'u integruar në BE",- tha Necas. Sipas tij, "autoritetet shqiptare kanë dhënë një sinjal shumë negativ me revokimin e licencës së CEZ, një investitor i madh çek në rajon”.
Kryeministri çek, gjatë fjalës së tij ngriti dyshime mbi angazhimin që Shqipëria ka për zbatimin e ligjit. “Ky veprim, i cili i heq CEZ të drejtat e shpërndarjes së energjisë elektrike, si kompania më e madhe e shpërndarjes së energjisë në vend, hedh dyshime mbi angazhimin që Shqipëria ka në zbatimin e ligjit dhe shpresat e saj që një dit të hyjë në Bashkim Europian”,- ka shtuar ai.
Vendimi për t’i hequr CEZ-it licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike, u mor një dië më parë nga autoritetet shqiptare. Kompania çeke CEZ i ka shkaktuar vendit një dëm prej 1 miliard dollarësh për dështimin në importin e energjisë elektrike dhe mosinvestimin në rrjetin elektrik të vendit, akuza këto të mohuara nga CEZ.





