TIRANE – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, priti sot ambasadorin e Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani. Ministri Panariti informoi ambasadorin Gaiani mbi zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës dhe qëndrimet e Tiranës zyrtare për këtë cështje. Ai theksoi se heqja në mënyrë arbitrare e Monumentit të UCPMB nga autoritetet serbe, dhe mungesa e dialogut me autoritet lokale shqiptare, janë një cënim i rëndë i të drejtave të pakicave, të parashikuara nga aktet ndërkombëtare, si dhe një dhunim i ndjenjave të tyre kombëtare. 

Gjithashtu, ai shprehu shqetësim për deklarimet e kryeministrit serb, Ivica Daçiç, që i cilësoi shqiptarët elementë terroristë. "Akuza të tilla që prekin të gjithë shqiptarët, si reminishenca të së kaluarës, bien ndesh me frymën e mirëkuptimit që duhet të ekzistojë midis vendeve të rajonit",- ka thënë Panariti.

Ambasadori Gaianni u shpreh se qeveria italiane ka vlerësuar rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ai shprehu shqetësimin për situatën në Luginën e Preshevës, ku theksoi se dialogu paqësor është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve duke shtuar se Italia ka qenë dhe mbetet një mbrojtëse konseguente e të drejtave të pakicave.