TIRANË – Identifikohet nëna e fetusit 6 muajsh që u gjet 10 ditë më parë i hedhur në një kazan mbeturinash në Laprakë. Policia e komisariatit numër 3 në Tiranë ka njoftuar se ka arritur të zbulojë identitetin e nënës dhe mjekes, që kreu abortin duke vënë në rrezik serioz jetën e gruas së re, nënë e dy fëmijëve të tjerë.

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetësja me inicialet S.D ka pranuar se e ka realizuar ndërprerjen e shtatzanisë e ndikuar nga kushtet ekonomike aspak të favorshme.

Ajo ka pohuar se është detyruar të sigurojë rreth 40 mijë lekë të reja borxh, në mënyrë që të paguante mjeken e klinikës private në Laprakë, shtetasen me inicialet E. TH, e cila ka kryer dhe ndërprerjen e shtatzanisë. 

Pas kryerjes së abortit në klinikën pranë kryqëzimit të Laprakës, nëna e foshnjes e ka hedhur më pas në kazanin e mbeturinave pranë Spitalit Ushtarak. 

Policia ka filluar procedimin ndaj nënës dhe ndaj mjekes së klinikës private. Periudha e lejuar me ligj për ndërprerjen e shtatzanisë me pëlqimin e nënës është deri në muajin e tretë.