TIRANE – Një 23-vjeçare, nënë e një fëmije, e cila ishte dënuar në mungesë me 6 muaj burg për braktisjen e foshnjës së saj 5-ditëshe, u arrestua mëngjesin e djeshëm nga forcat e Policisë së Tiranës. Burime nga Policia thanë se është vënë në pranga Hatixhe Lamkja, e cila ishte dënuar më 5 dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Tiranës.
Në fillim të muajit prill të vitit 2012, kur kishte vetëm 5 ditë që kishte lindur fëmijën e saj, Hatixhe Lamkja ka shkuar në shtëpinë e një fqinjit të saj, Fatmir Sulës, pranë Paskuqanit, dhe i ka kërkuar që ta strehonte për një natë, pasi kishte bërë sherr me bashkëshortin. Pasi ka fjetur aty bashkë me fëmijën, të nesërmen i ka kërkuar që të kujdesej për beben, pasi do shkonte në Durrës te shtëpia e prindërve të saj që të merrte disa rroba.
Por që nga ai moment ajo nuk është kthyer më, duke e lënë foshnjën në shtëpinë e fqinjit. Pasi e ka mbajtur disa ditë, duke pritur të rikthehej e ëma, Fatmir Sula ka shkuar në një klinikë mjekësore, pasi foshnja ka pasur probleme dhe aty e kanë këshilluar që të bënte kallëzim në Polici. Pas denoncimit në Komisariatin Nr.3, fëmija është dërguar në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës, ndërsa e ëma është shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë.





