DURRES– Reshjet e shiut që prej më shumë se një jave vijojnë të bien me intensitet në vend kanë shkaktuar jo pak probleme në disa zona të vendit. 

Në Kodër Vilë në Durrës ka pasur rrëshqitje dherash në krahun e Currilave. Masive dherash kanë shqetësuar banorët e zonës pasi reshjet e shiut gjithmonë e më tepër po përkeqësojnë situatën në Kodër Vilë.

 

Gjatë ditëve të fundit kanë rrëshqitur masive dherash nga Kodra e Vilës drejt Currilave.

2 banesa rrezikojnë rrëshqitjen pasi fenomeni i erozionit është thelluar së tepërmi në këtë zonë si pasojë e reshjeve të shiut që prej ditësh nuk kanë pushuar. 

Problemi është ngritur jo vetëm nga 2 familjet, por dhe nga banorë të tjerë pasi problemi shtohet sa herë që bie shi në këtë zonë. 

Kryebashkiaku Vangjush Dako i kontaktuar nga News24 për këtë problematikë tha se për zonat ku ka rrëshqitje ka një projekt me vlerë 2 milionë euro, por që fle në sirtarë pasi bashkia nuk ka fonde.

Projekti konsiston në mbjelljen e pemëve me qëllim ndalimin e erozionit. 

Dako bëri të ditur se problem financimi është dhe dëmshpërblimi që kanë kërkuar 200 familje që pësuan përmbytje nga shiu. Dako theksoi se familjet janë nga zona e Plazhit, Shkozetit dhe ish-kënetës. Kreu i Bashkisë së Durrësit tha se grupe të bashkisë janë duke evidentuar dëmet dhe fatura financiare do ti kalojë bashkisë këshillit bashkiak për miratim. 
Familjet pretendojnë se nga përmbytjet jo vetëm që u shkatërruan të mbjellat por uji që hyri në banesa shkatërroi mobilje dhe pajisje elektroshtëpiake.