Mjaftojnë 20 skanera për numërimin elektronik të votave, që rezultati i zgjedhjeve për qarkun e Fierit të shpallet për 3 orë. Eksperti i elektronikës, Pjerin Marku, thotë se, gjithsesi, në këtë llogaritje kohore, nuk përfshihen vonesat që mund të shkaktojnë qëllimisht komisionerët. “Vonesa më e madhe është vonesa e përgatitjes, pra e nxjerrjes së votave dhe futja e tyre në skaner, sepse vetë skaneri procedon automatikisht shumë shpejt.

Duke pasur parasysh këto, mendoj që brenda 2-3 orësh mund të përfundojnë. Për një qark si Fieri, nëse janë 10 qendra numërimi, atëherë do të duhen midis 1 ose 2 makina për çdo vend numërimi dhe mund të duhen 10-20 skanera”,- deklaron marku.

Ish-këshilltari për Teknologjinë i Kryeministrit Berisha, thekson se hapësirat e manipulimit reduktohen ndjeshëm me përdorimin e teknologjisë. Kjo, edhe për faktin se kompanitë e huaja, do ta menaxhojnë procesin me punonjësit e tyre. Për sa i përket identifikimit elektronik të kartave të identitetit, edhe këtu koha reduktohet. “Mund ta ulë pak kohën, ndoshta në 2-3 minuta për pjesën e identifikimit të personit pastaj është koha normale që personi merr për të votuar”,- tha Marku.

I pyetur mbi rrezikun e ngritur së fundmi për mosleximin e të gjitha llojeve të fletëve nga aparatura, Marku përgjigjet: Ndoshta për qëllime praktike, për të rritur shpejtësinë apo dhe sigurinë, ndoshta mund të preferohen tipa dhe kualitete të caktuara letre, por teorikisht, nuk ka pengesë për çdo lloj letre”. Janë 4 kompanitë e ofruara për numërimin elektronik në qarkun e Fierit: 2 spanjolle, 1 angleze dhe 1 amerikane. Ndërsa tenderi për identifikimin elektronik të kartave të identiteti hapet të martën.