KORCE – Pas kthimit të emigrantëve shqiptarë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, autoritetet greke kanë nisur ta vënë në praktikë edhe në Kapshticë. Mësohet se 11 familje shqiptare nuk janë lejuar të kalojnë kufirin nga Kapshtica, në harkun kohor të tre ditëve.
Kjo shifër konfirmohet nga Drejtori i Kufirit në Korçë, Ylber Zyberi, dhe sipas tij shkak për këtë janë bërë toponimet në pasaporta. Megjithë takimet që kanë zhvilluar autoritetet shqiptare me homologët e tyre grekë nuk është arritur asnjë rezultat konkret për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar.
Pala greke e argumenton veprimin e saj me një urdhër të dhënë nga autoritetet, të cilët kërkojnë që vendlindja e fëmijëve të shkruhet në gjuhën angleze dhe jo atë shqiptare. Ndërkaq mësohet se për këtë fenomen është njoftuar Ministria e Jashtme prej nga pritet gjetja e një zgjidhjeje, përmes dialogut diplomatik.





