SHKODER – Policia e Shkodrës vijon hetimet për vrasjen e 46-vjeçarit Kujtim Vajushi, ndërkohë që nuk ka ende asnjë autor të dyshuar për ngjarjen e rëndë. 

Sipas policisë, Kujtim Vajushi rezultonte në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, i akuzuar për vrasje. Policia është përqëndruar në këtë pikë, duke hetuar mundësinë që 46-vjeçari të jetë vrarë për hakmarrje. Ndërkohë në komisariat janë shoqëruar 15 persona, në cilësinë e dëshmitarëve okularë. 

Ndërkohë bëhet e ditur se Kujtim Vajushi, ka kryer 5 vite burg, si i përfshirë në një ngjarje, në vitin 2002 ku nga shkëmbimi i zjarrit, humbi jetën një 9-vjeçare. Por mësohet se mes familjes Vajushi dhe familjes së 9-vjeçares, nuk ka pasur hasmëri, madje palët kanë komunikuar dhe kanë pasur hyrje-dalje pas ngjarjes. 

46-vjeçari Kujtim Vajushi, baba i dy fëmijëve u ekzekutua një ditë më parë me armë zjarri në mes të qytetit të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur "Zdrale". Mësohet se kanë qenë dy autorët e krimit, të cilët kanë qëlluar pas shpine 46-vjeçarin, pronar i një lokali në Shirokë. Njëri prej personave mbante ndezur motorin, ndërsa personi i dytë ka qëlluar me pistoletë mbi 46-vjeçarin. Pasi e kanë parë të shtrirë në tokë, dy autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Shitës dhe qytetarë të rastësishëm, janë munduar t'i japin ndihmën e parë Vajushit dhe e kanë transportuar me mjetet e tyre për në spital, por 46-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës, kanë pohuar se Kujtim Vajushi ka mbërritur i vdekur në spital për shkak të humbjes së madhe të gjakut. Ndërkohë ata thonë se 4 plumbat kishin përshkuar tejpërtej trupin e 46-vjeçarit, duke i dëmtuar organet jetësorë.