TIRANË – Vajza e kryeministrit, Argita Malltezi i ka konsideruar sot sulmet e selisë rozë si justifikim të kreut të PS-së për t’iu shmangur transparencës mbi pasurinë e familjes së tij.
“Sot z.Rama vazhdoi serialin e tij të shpifjeve e sulmeve politike ndaj meje në konferencën e tij të shtypit dhe me tellallet e tij të paguar. Z Rama çdo ditë që kalon ju bëheni me qesharak para shqiptarëve, por dhe i mjerë, kur përpiqeni të përdorni veprimet e mia të bazuara në ligje për të justifikuar veprimet tuaja të paligjshme dhe akoma më keq, kur i përdorni këto sulme për t’ju shmangur si burracak transparencës që të detyron ligji i vendit. Jua përsëris dhe një herë që standartet e mia të transparencës dhe respektimit të ligjit gjatë aktivitetit tim dallojnë si dita me natën me ato tuajat dhe sa më shumë përpiqesh të shpëtosh duke i krahasuar aq më i pabesueshëm dukesh para publikut. Z Rama tarifat e punës sime si avokate unë i kam patur publike dhe në përputhje të plotë me ligjin e avokatisë. Unë ju ftoj ju të bëni publike burimin e 100 milionshit të huasë pa interes të znj. Lindita Basha si dhe të gjitha faturat e investimit prej 1 milion euro në pallatin pesë katësh të familjes së saj, tatimet e paguara për to dhe transaksionet bankare për financimin e tij”,- thotë Argita Malltezi në deklaratën e saj.
Më tej vajza e kryeministrit deklaron se çdo veprim i biznesit që ajo drejton është konform ligjit ndryshe nga veprimet që kreu Rama si kryebashkiak.
“Z.Rama unë për kohën që kam ushtruar avokatinë, çmimin e shitjes së tokës private tek të interesuarit ua kam njoftuar haptas sipas kërkesave të pronarit privat, pa detyruar asnjeri të blejë apo të mos blejë, siç demonstron dhe korrespondenca të cilën ti keqlexon dhe pa cënuar asnjë interes privat të ndokujt. Kurse ju zoti Rama, në emër të nenit 62 të ligjit të urbanistikës i anulluat lejen e ndërtimit familjes Frashëri dhe i dhatë në po të njëjtin vend leje ndërtimi në sheshin e pallateve bashkëshortes suaj, në shkelje flagrante të po të njëjtit nen”,- përfundon deklaratën e saj vajza e kryeministrit.





