TIRANE – Kryeministri, Sali Berisha reagoi nëpërmjet faqes së tij në Facebook për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë një akt që dëshmon edhe njëherë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen. 

“Akti i heqjes se monumentit të heronjve te kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ky akt dëshmon dhe njëherë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij, por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika rraciste dhe fobie ndaj tyre.”- shkruan Berisha. 

Berisha i bën thirrje qytetarëve dhe udhëheqësve politike të Preshevës që të shmangin provokimet, te ruajne gjakftohtesine ndaj terrorit policesk te Beogradit, duke i garantuar se Shqipëria do të bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombetare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptareve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. 

“Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”- përfundon reagimi i Berishës.