GJIROKASTER – Policia kufitare e Kakavijës ka arrestuar një shtetas italian në pikën doganore me rreth 20 kilogramë marijuanë. 

Italiani i arrestuar, sipas policisë, është Iginio De Filippis, 26 vjeç me banim në Leone i cili u ndalua në vijën e dytë të kontrollit. Mësohet se 26-vjeçari drejtonte makinën tip Opel me targa BF561XT në të cilën kishte fshehur edhe drogën. 

Policia pas kontrollit me imtësi të makinës gjeti drogën e shpërndarë në rreth 22 pako në brendësi të dyerve, kroskotit dhe gomës rezervë. Kontrolli i makinës së italianit nuk ishte i rastësishëm, pasi drejtori i Kufirit, Admir Abrija, kishte informacion për trafikun e drogës në bazë të informacioneve në rrugë operative. 

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin italian dhe po vijon hetimet për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtor të tjerë të përfshirë në trafik.