TIRANE – Lajmi për lirimin e këngëtares së mirënjohur shqiptare, Liljana Kondakçi ka bërë bujë në mbarë vendin. Këngëtarja e njohur e skenës shqiptare prej disa ditësh është kthyer në kryeqytet dhe ka nisur të merret me hallet dhe problemet e jetës së përditshme. Të paktën këtë informacion jep vëllai i këngëtares, Liljana Kondakçi, Nesti. Ai rrëfen se “Lili ka 10 ditë që ka ardhur në Tiranë. Është shumë e shqetësuar për të gjitha ato që janë shkruar dhe që janë thënë në median shqiptare”.
Sipas vëllait të këngëtares së mirënjohur shqiptare, në media janë publikuar lajme që janë të pavërteta. “Lili është shumë e shqetësuar, sepse janë publikuar lajme që kanë lidhje me jetën e saj private, që nuk janë të vërteta, nuk është e vërtetë se ka probleme me përmbarimin dhe shtëpinë”, rrëfen për “GSH”, vëllai i Liljana Kondakçi. Pyetjes nëse ai e ka takuar motrën e tij, ai i përgjigjet: “Po, patjetër që e kam takuar, kur u kthye nga Italia. Por, këto ditë është duke u marrë me problemet e saj, sepse ka burrin sëmurë”. Por për të gjithë këtë histori ka edhe të afërm të këngëtares së madhe, që nuk e dinë historinë e saj, siç është nëna e saj. Vëllai i Liljana Kondakçiut pohon se “nënës nuk i kemi treguar asgjë për historinë e Liljanës, sepse ajo është shumë e vjetër dhe i kemi thënë që është në Greqi”.
Lirimi
Pak ditë më parë mediat italiane publikuan lajmin se një prej yjeve të muzikës shqiptare ka përfunduar dënimin me 2 vite dhe tetë muaj burg në Itali për trafik droge. Lajmi është bërë i ditur nga “Gazeta del sud” në Itali, sipas së cilës, këngëtarja shqiptare është riatdhesuar në Shqipëri. E cilësuar si Mina e Shqipërisë, Kondakçi u arrestua në Selanik në vitin 2010, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua më pas në Itali. Mediat në shtetin fqinj shkruajnë se Kondakçiu bënte trafik droge, pasi u shpëtonte kontrolleve policore, duke shfrytëzuar reputacionin e saj si këngëtare.
Sipas medias italiane, këngëtarja shqiptare nisi problemet me drejtësinë italiane në verën e vitit 2006, kur u ndalua në stacionin hekurudhor të Sibarit, teksa transportonte tre kilogramë heroinë. Sipas medias italiane, Kondakçi njihej ndryshe me emrin e koduar “mamaja”, siç thirrej nga banda, e cila dyshohej se përbëhej nga 20 anëtarë. Po sipas të njëjtave burime, Liljana kishte lidhje me bosin e karteleve të drogës në Shkodër, Fisnik Smalaj. Prej më shumë se një javë, ajo ka përfunduar dënimin dhe është riatdhesuar.





