ITALI– “Nuk mund të pranoja shkatërrimin e familjes sime”. Këto fjalë ka thënë para trupit gjykues 48 vjeçari shqiptar Burhan Kapllani, i cili vrau të enjten në Itali ish bashkëshorten Orieta Kapllani 36 vjeç dhe të dashurin e saj, 39 vjeçarin Shpëtim Hana.

Pas vrasjes autori ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike dhe nuk fliste, ndërkohë që para gjykatësit Giuseppe Romano Gargarella ka shpjeguar arsyen e krimit të dyfishtë. Seanca dëgjimore me autorin e krimit u mbajt në burgun “Costarelle”, në Aquila.

Biznesmeni shqiptar është shprehur se viktimat i ka takuar rastësisht teksa po shkonte në një dyqan për të blerë cigare, raporton Abruzzoweb.

Por ky deklarim nuk është konsideruar i besueshëm nga ana e gjykatës, ndërkohë që mbetet ende e paqartë mënyra sesi 48 vjeçari kishte siguruar pistoletën e kalibrit 7.65, e cila rezulton e vjedhur në vitin 2010, e me të cilën ai kreu krimin.

Kapllani qëlloi ndaj ish bashkëshortes së tij, nënë e katër fëmijëve, pak kohë pasi e Orieta kishte hapur një proces gjyqësor për ndarjen e çiftit. 

Por ndërsa hetimet për ngjarjen janë ende në proces, hipotezat e hetuesve se bëhet fjalë për një krim të paramenduar i forcon edhe fakti se në brendësi të automjetit tip Opel Zafira, ngjyrë bojëqielli, ku ai vrau të shoqen ndodhej edhe e ëma e Orietës.

I pyetur mbi këtë fakt, Kapllani ka deklaruar se “nuk do t’i bëja asnjëherë keq vjehrrës sime”.