TIRANE – Pas akuzave të Partisë Socialiste për skandalin me biznesmenin pakistanez ka reaguar vajza e kryeministrit. Sipas Argita Malltezit këto akuza nuk janë gjë tjetër veçse sulme të kryesocialistit Rama për të fshehur lejet e ndërtimit, të dhëna në konflikt interesi. 

“Z.Rama ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve si alternativë të vetme të politikës së tij shpifjen dhe sulmet e paprincipta spekulative. Z.Rama beson se mund të fshihet duke përgojuar të ardhurat tona të krijuara nga burime transparente, të ligjshme, të deklaruara në tatime dhe ILDKP dhe të verifikuara prej tyre. Ndërkohë që burimi i parave të huasë 100 milionëshe të gruas së tij mbeti jetim, sikundër dhe burimi i parave të pallatit gjoja të ngritur nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta, ndërsa pretendon se vila e Dajtit po ndërtohet me paratë e ‘Kurbanit’”,- thuhet në reagim. 

Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, vajza e kryeministrit shton: “Kjo është mënyra jote e abuzimit me pushtetin z.Rama. Ndërtues të tjerë, të mirënjohur në Tiranë të kanë akuzuar botërisht se për të lëshuar leje ndërtimi u ke kërkuar miliona euro. Z.Rama, unë kam qënë dhe jam krenare që çdo hap të aktivitetit tim profesional e kam kryer në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet në fuqi dhe kam ndjekur rrugën e punës së ndershme profesionale për të krijuar të ardhurat e mia, siç demonstrojnë dhe shembujt që ti i keqlexon publikisht”,- thotë Argita Malltezi.