DURRES – Situatë e rënduar në të gjithë rrethin e Durrësit si pasojë e përmbytjeve. Megjithëse gjatë ditës së sotme reshjet e shiut kanë qenë me intensitet më të ulët sesa ditët e kaluara, sërish problematika e shkaktuar prej tyre në lagje të ndryshme të qytetit dhe komuna të rrethit të Durrësit mbetet shumë kritike.

Nga një vëzhgim në terren që bëri mesditën e sotme Durrëslajm.com rezulton se në lagjen Erzen të Shijakut, ku një ditë më parë 20 familje u evakuuan nga shtëpitë e tyre, uji ka nisur të largohet, por dëmet e lëna pas janë të shumta. Burime nga pushteti lokal bëjnë të ditur se tashmë janë duke llogaritur dëmet e shkaktuara si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen.

Rreth 120 familje dhe biznese kanë pësuar demë të konsiderueshme dhe situata bëhet edhe më kritike, pasi një muaj më parë këta banorë përjetuan përmbytjen e parë. Niveli i ujit në shtëpi, ditën e djeshme arrinte deri në një metër, dhe siç rrëfejnë vetë banorët e kësaj lagjeje shumë orendi dhe pajisje shtëpiake u kanë dalë jashtë funksionit. Disa prej banorëve kanë nisur të rikthehen në shtëpi, ndërsa të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë ende tek të afërmit e tyre.

Të ndodhur në këtë situatë të vështirë, banorët kërkojnë ndërhyrjen emergjente të pushtetit lokal për t’u ardhur në ndihmë dhe për të evituar përsëritjen e situatave të ngjashme. Ndërkohë ata kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara, pasi është e dyta herë që brenda një harku kohor shumë të shkurtër u shkaktohen dëme mjaft të mëdha në shtëpi dhe bizneset private.   

E vështirë ka qenë situata edhe në komunën e Katundit të Ri. Në total në këto dy njësi të pushtetit vendor janë prekur nga përmbytjet 40 familje, 20 prej të cilave përmbytur si pasojë e shpërthimit të digës së rezervuarit.

Ndërkohë e rëndë është gjendja edhe në zonën e Plazhit dhe atë të Shkozetit. Pjesë të ndryshme të lagjes nr.13 dhe 14 vazhdojnë të jenë të mbuluara nga uji duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen normale të qytetarëve. Mos funksionimi i kolektorëve bën që në këto lagje të përsëritet e njëjta situatë sa herë regjistrohen reshje shiu me intensitet të lartë.  

Shtabi i emergjencave në Durrës, i cili po monitoron nga afër situatën ka konstatuar se në të gjithë rrethin janë prekur nga përmbytjet 650 shtëpi banimi, 79 biznese dhe 320 hektarë tokë bujqësore në Katund Sukth e Ishëm. Për të normalizuar situatën në terren po punojnë grupe të shumta pune, ndërsa po vazhdohet me përllogaritjen e dëmeve materiale të shkaktuara tek qytetarët dhe bizneset private.