Agnesa Vuthaj, pjesë marrëse në sfilatën më të jashtëzakonshme të organizuar mes shqiptarëve tregon eksperiencën e saj dhe përse kur je e bukur brenda e rrezaton edhe jashtë, qoftë edhe tullace.

Ju morët pjesë në një sfilatë ku modelet sfiduan të gjitha me një look jo të zakontë, si tullace, më tregoni diçka më tepër mbi sfilatën?

Sfilata kishte për qëllim ndërgjegjësimin e femrave për sëmundjen e kancerit. “Mbijeto hijshëm” ishte motoja e sfilatës së organizuar nga Afërdita Pacarada, ku edhe u prezantua koleksioni i saj i fustaneve pranverë – verë 2013-të.

A beson se sfilata e realizoi misionin e saj?

Sigurisht që po, ideja u prit shumë mirë nga publiku dhe mediat në përgjithësi. Besoj që ishte e nevojshme një sfilatë e tillë, në përkrahje të të prekurve me kancer për tu solidarizuar, për tu dhënë shpresë dhe motiv për të luftuar dhe për t’i mbijetuar sëmundjes.

Ky ishte misioni kryesor i sfilatës?

Secilit prej nesh mund t’i ndodhë të ketë në familje, në shoqëri apo të njohur, një të prekur me kancer dhe misioni i jetës sonë duhet të jetë t’i ndihmojmë të tjerët. Misioni i sfilatës ishte një përkrahje direkte për të prekurit me këtë sëmundje, por edhe një thirrje për shoqërinë në përgjithësi. Duhet të jemi më të hapur dhe të gatshëm për të ndihmuar këtë kategori qoftë edhe vetëm moralisht.

Edhe ju si modele patët goxha jehonë me këtë sfilatë, ishte ky një tjetër qëllim i juaji për të krijuar një profil përveçse prej modeleje edhe prej humanisteje?

Unë që në moshën 14- vjeçare jam marrë me aktivitete humanitare dhe jam gjithmonë e gatshme të jap kontributin tim, qoftë përmes projekteve të mia, apo të të tjerëve. Jehona e sfilatës ishte e pritshme, meqë edhe organizohej nga Miss-i i parë i Kosovës dhe shumica e modeleve mbanin kurorën e Miss Kosova apo Miss Albania. Unë i mbaj të dyja kurorat dhe patjetër që pranova ftesën dhe isha e gatshme të ndihmoj në fuqizimin mediatik të sfilatës.

Të pëlqeu vetja tullace?

Ishte një ndryshim, u bëra tullace për herë të parë dhe e pëlqeva pamjen time. Nuk e ndjeva aspak mungesën e flokëve para, gjatë dhe pas sfilatës, madje edhe në festen e organizuar më vonë, shkova si tullace.

Të pëlqen vetja në përgjithësi?

Po. Më pëlqen vetja në përgjithësi dhe në veçanti

Kur ke menduar për herë të parë që je femër e bukur?

Para 10 vitesh, kur fitova kurora të njëpasnjëshme të bukurisë dhe vlerësimi pozitiv i vazhdueshëm i publikut më beri të besoj në bukurinë time.

Bukuria t’i ka hapur apo t’i ka mbyllur dyert?
Mua bukuria më ka hapur dyert e duhura. Konsideroj që bukuria të hap derën, por është aftësia intelektuale ajo që të mban brenda apo të mundëson të vazhdosh të hapesh dyer më të rëndësishme që bukuria e vetme nuk arrin t’i hapë.

Ke menduar ndonjëherë që “Më mirë të mos isha e bukur” sepse bukuria të ka prishur punë?

Kam pasur momente të tilla në jetë, kur jam përballur me nënvlerësim vetëm pse kam mbajtur kurorën e Miss-it dhe mund të jem dëshpëruar për një moment, por pastaj kam kuptuar që problemi është tek shoqëria që nuk është e gatshme të pranojë tek tjetri vlerat që nuk i ka vetë. Mund të diskriminohesh edhe pse je e bukur. Por kjo më ka ndihmuar të jem më e forte dhe të punoj dhe më shumë dhe të arrij të vlerësohem si për bukurinë, po ashtu edhe për aftësinë, përkushtimin dhe disiplinën time në punë.

Shpesh kemi dëgjuar që të bukurat nuk janë edhe inteligjente, ti nga ana e një të bukure si do të mbroje kategorinë e femrave të bukura?

Derisa ekzistojnë shumë femra të bukura dhe të suksesshme në profesione të ndryshme jo vetëm në modë apo spektakle bukurie dhe shumë drejtuese të kompanive të njohura, mjeke, mësuese, politikane etj, besoj që edhe te shqiptarët ka filluar të shuhet mendimi që një femër mund të jetë vetëm e bukur ose vetëm e mençur. Për mendimin tim femra ka shumë më shumë vlera përveç bukurisë apo zgjuarsisë.

Kohët e fundit femrat i janë drejtuar kirurgjisë plastike për tu bërë të bukura, ju jeni pro apo kundër?

Për mua është e rëndësishme të ndjehesh mirë me vetveten. Unë jam kundër operacioneve të panevojshme dhe që bëhen obsesion.
Edhe ju jeni përfolur para ca kohësh për ndërhyrje estetike, është e vërtetë?
Nuk paskam dëgjuar të jem përfolur ndonjëherë për ndërhyrje estetike, sidoqoftë konfirmoj që nuk ka qenë një informacion i saktë.

Do të bënit ndonjë operacion plastik?

Jo. Pse duhet të bëja?

Çfarë ju pëlqen më shumë te vetja?

Mua më pëlqen që ndjehem mirë me vetveten, kështu siç jam.

Çfarë urreni më shumë?

Nuk urrej asgjë dhe askënd.

Ka frikë nga plakja një femër e bukur?

Jo. Besoj që secila periudhë e jetës ka veçantinë e saj.

Thuhet se femrat e bukura e vuajnë më shumë plakjen, mendoni se është e vërtetë?

Shumë femra të bukura kanë dëshmuar që mosha është vetëm numër. Unë mendoj që një femër e bukur do mbetet e tillë edhe me kalimin e viteve dhe ca rrudha në fytyre vetëm do i plotësojnë pamjen e një zonje të bukur.

Ju keni frikë se një ditë nuk do të jeni e bukur?

Aspak. Unë çdo dite ndjehem më e përmbushur. Për mua përkufizimi i bukurisë nuk mbaron te pamja fizike.

E çfarë do të bëni kur të mos jeni e bukur?

Unë besoj që do vazhdoj të flas për të bukuren edhe pas shumë vitesh. Për mua e bukura është vlerë dhe vitet nuk i shuajnë vlerat, vetëm iu shtojnë rëndësinë.