TIRANË – Një flamur shqiptar me firmat e personave të ndryshëm, mes të cilëve edhe artistë, politikanë, mësues, etj, do të vendoset në shkollën "Sandy Hook" në Connecticut (SHBA).
Nisma e Nevila Hoxhës dhe Ida Metës, që jeton në Connecticut, është një shenjë solidariteti ndaj familjeve dhe fëmijëve të tragjedisë së 14 dhjetorit në shkollën fillore "Sandy Hook", ku mbetën të vrarë 20 fëmijë e gjashtë të rritur.
Mes dhjetëra personave që kanë hedhur firmën e tyre në flamurin shqiptar, përmenden regjisori Milto Kutali, aktori Arben Derhemi, etnologia Afërdita Onuzi, Shoqata "High Albania Mountain Club", Federata e Alpinizmit Shqiptar me President Jani Ziso, mësues e fëmijë shkollash, etj.
Tashmë flamuri është i mbushur me firma dhe pritet që ai të shkojë drejt Amerikës në shenjë mbështetje për fëmijët dhe mësuesit e kësaj shkollës. Kjo nismë me producente Nevila Hoxhën është mbështetur dhe firmosur edhe nga Kolegji "Turgut Ozal" dhe shkolla “Hasan Prishtina".





