ZYRIH– Ajo që është pëshpëritur prej kohësh del e vërtetë: femrat, në krahasim me meshkujt, kanë problem me ngasjen e automjeteve.
Gratë në komunikacionin rrugor përbëjnë faktor më të madh rreziku sesa burrat. Këtë përfundim e ka nxjerrë një studim i organizatës zvicerane Suva që merret me sigurimin nga aksidentet. Ndeshjet me pasojë lëndimet e pjesëmarrësve në trafik shkaktohen nga femrat pothuaj dyfish më shumë sesa nga meshkujt.
Femrat në komunikacion rrezikohen më së shumti në orët e mëngjesit. Kjo dhe është arsyeja që Suva fushatën e parë të radhës për parandalim të aksidenteve do t`ua kushtojë femrave.
Për studimin e përmendur Suva ka marrë për bazë të gjithë të siguruarit, kryesisht të punësuar që janë rreth 1.9 milionë njerëz të moshave 18-64 vjeçare. Rreziku që meshkujt e punësuar të shkaktojnë një aksident në 10 vjetët e fundit ka rënë për një të katërtën (25%). Rreziku për shkaktim të aksidentit me lëndime të rënda – që nënkupton pushim nga puna prej së paku 3 javësh, ka rënë madje për 34 për qind.
Edhe te gratë është shënuar një rënie e rrezikut për shkaktim aksidentesh, por vetëm për 15 për qind. Ndërkaq, po u bë krahasimi sipas numrit të kilometrave të kaluara me automobil, dallimi në mes të gjinive është edhe më drastik.
Në 100 milionë kilometra të kaluara te meshkujt ka 4.8 të lënduar rëndë, ndërsa te femrat 9.2.
Sipas studimit të Suva-s, është konstatuar se femrat e kanë më vështirë se meshkujt që të orientohen me automjet në hapësirë. Ato po ashtu janë më pak në gjendje të kontrollojnë stresin në komunikacion, në krahasim me meshkujt.
Nga ana tjetër, Këshillimorja për mbrojtje nga aksidentet i ka drejtuar kritika këtij vlerësimi të bërë nga Suva. Sipas saj, Suva me këtë rast është mbështetur vetëm në riskun nga aksidentet. Por, sipas këshillimores, te aksidentet me viktima në njerëz dhe me lëndime të rënda, meshkujt janë shumë më të pranishëm sesa femrat.





