Qeveria e futbollit europian, UEFA, i ka besuar Shqipërisë organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Europian U-17 femra, 2021/2022.
Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë në datat 24, 27 dhe 30 shtator 2021. Kështu, Shqipëria U-17, që është shortuar në grupin B me Azerbajxhanin dhe Malin e Zi (gjendet në Ligën B) do të tentojë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.
Kualifikueset U-17 dhe U-19 për futbollin e femrave janë riorganizuar së fundmi pas vendimit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. Ekipet kombëtare janë të ndara në dy liga, A dhe B.
Skuadrat e Ligës A garojnë për t’u kualifikuar në Europian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkurruese dhe për t’u ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur Kampionatin Europian.





