Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj tha se këtë vit do të nisë zbatimin e skemës e re të financimit në arsimin e lartë. Kjo skemë është kundërshtuar fort nga universitetet publike, të cilat e kanë cilësuar si skemën që do të rrënojë arsimin publik, pasi institucionet private do të financohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. 

"Skema e financimit ose reforma e financimit të arsimit të lartë është një reformë e domosdoshme. Ne e kemi deklaruar që kjo reformë do të zhvillohet në arsimin e lartë publik fillimisht në fazën e parë", thotë ministri Tafaj.

Përveç Abetares këtë vit do të këtë një njehsim të teksteve të gjuhës shqipe dhe historisë me nxënësit e Kosovës.

"Do të fillojmë menjëherë punën për ngritjen e komisioneve të përbashkëta për hartimin e teksteve të Gjuhës Shqipe dhe të historisë së Shqipërisë", thotë Tafaj.
 
Në këtë analizë vjetore Ministri tha se arsimi duhet të fokusohet drejt drejtime profesionale, pasi tregu i punës dëshmon për këto kërkesa.