TIRANE – Ish-deputeti socialist, Andis Harasani, në një intervistë për blogun “studimepolitike.com” thekson se PS duhet dhe do t’i fitojë zgjedhjet pa pasur nevojë për një aleancë me LSI. 

Z. Harasani, prej pak muajsh jeni larguar nga PS duke lënë mandatin e deputetit. Ju u shprehet se kishit angazhime personale, a keni diçka për të shtuar lidhur me arsyet? 

U bënë disa muaj që kreva një akt të tillë dhe kam përshtypjen se e kam shpjeguar mëse njëherë motivin, se pse e kreva. Besoj se një gjë e tillë tashmë ka dalë nga vëmendja e publikut dhe interesi apo kureshtja e tij. Është një histori e mbyllur. E vetmja gjë që do të doja të thosha për këtë temë, ka të bëjë me bindjen e sotme, që dje kam vepruar mirë dhe drejt. Për më shumë, do të shtoja se lënia e mandatit nuk do të thotë dorëheqje nga politika. Kjo zeje e vjetër e njerëzimit, politikëbërja, nuk është si prania në një sallë koncerti për të shijuar apo mospëlqyer muzikën. Sot ka shumë më tepër mundësi të jesh i pranishëm edhe aty ku nuk ndodhesh fizikisht. Distanca që kam krijuar nga Tirana, tani që jetoj në SHBA, ndoshta jo çuditërisht më ka bërë, që shumëçka ta shoh më qartë. Madje, edhe njerëzit, të njohurit e mi të shumtë në Tiranë me ngjajnë më të mirë. Ndoshta kjo është teknologjia e pashpjegueshme e mallit, ndoshta ashtu kanë qenë në të vërtetë, por pamja e tyre sfumohej nga “smogu” i përditshmërisë, ndoshta tani që jam larg, edhe unë i dukem më i mirë shumëkujt, që nuk më duronte më parë. 

Ju gjetët një PS, që ishte në beteje të vazhdueshme debatesh të brendshme. Në krye të saj ishte Fatos Nano, i cili e quan veten liberal. Ishte në të vërtetë i tillë, gjithnjë duke iu referuar mënyrës se si ai e drejtoi këtë parti dhe ngjarjet, që u zhvilluan brenda saj përgjatë 15 viteve?

Absolutisht po, Nano ishte dhe është liberal në të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Duke thënë këtë, nuk ndikohem as nga mirënjohja për mundësinë që më dha profesionalisht vite më parë dhe as nga fakti që e konsideroj mik. PS ishte një parti, që të jepte gojë për të folur, por të mësonte të kishe edhe veshë për të dëgjuar. 
Por megjithatë, gjatë drejtimit të Nanos, PS u nda më dysh, prej saj lindi LSI, një fenomen që solli edhe humbjen e PS në zgjedhjet e 2005, edhe ato të 2009. 
Humbja e 2005-ës mendoj se ishte logjike dhe fund i ciklit të radhës në PS. Humbje të tilla në politikë dhe rotacioni qeverisës, lejojnë një parti të rikompozohet, të rikrijohet, të rikorrigjohet dhe të rivitalizohet. Ndarja me LSI-në ka qenë pjesë e këtij cikli, që nuk ishte i ri për PS-në, kështu ka ndodhur me çdo forcë politike në vend. Në fund të fundit, politika është bashkim vullnetar, nuk mund të mbahet brenda dikush, që do të dalë jashtë. 

A funksiononte në të vërtetë demokracia e brendshme në PS, duke pasur parasysh se në finale, statuti ndryshohej gjithnjë sipas preferencave të kryetarit?

Ky është një problem jo vetëm i PS-së. Madje në PS është shumë më i vogël se gjetkë. Sipas standardit evropian të demokracisë së brendshme në një parti politike, mund të thuhet troç, se në asnjë parti politike shqiptare nuk funksionon demokracia e brendshme. Dhe meqë nga partitë burojnë politika dhe politikë, institucionet dhe njerëzit e institucioneve, këto të fundit janë të dobëta, të brishta dhe jo demokratike e funksionale. 

Roli i liderit në partitë politike në Shqipëri, ka rëndësi të veçantë. A kanë trashëguar liderët aktualë nga e shkuara komuniste e paraardhësve të tyre tipare totalitare? Është fjala për liderët e dy partive kryesore: PD e PS, Berisha, Nano, Rama?

Për fat të keq po. Ashtu siç ka trashëguar secili nga ne një gjë të tillë, ashtu siç secili nga ne ka ende në gjak pak nga ai opium i hershëm që na ka trallisur e dalldisur, që na ka helmuar të djeshmen dhe po na helmon të sotmen. Besoj se ka vetëm një recetë, që të shpëtojmë nga kjo sëmundje, ta kuptojmë diagnozën e saj dhe të jemi të bindur, se ka ardhur koha që të shërohemi. 

Të kthehemi sërish tek angazhimi juaj në politikë. Ju i përkisni asaj kategorie rekrutimesh në PS, në kohën kur kryetari Fatos Nano kishte përplasje papushim me grupin e Ilir Metës. Ju mbajtët gjithnjë krahun e tij në PS. Sot pas kaq vitesh, mendoni se keni gabuar? A e meritoi Nano përkrahjen tuaj, por edhe të disa deputetëve të tjerë socialistë, apo edhe zyrtar të tjerë të kësaj partie?

Po të ripërsëritej ajo kohë do të bëjë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Kam bërë atëherë, atë që kam menduar se ishte më e drejtë pa u nisur të mendoja, se veprimet e mia ishin në interes të njërit apo të tjetrit. 

Në 2005 erdhi Edi Rama në krye PS, nisi të bëjë ndryshime thelbësore. Si i përjetuat ju këto lëvizje, dhe si i vlerësoni sot ato?

Marrëdhënia ime me Edi Ramën ka qenë si një monedhë me dy anë; ka qenë politike dhe miqësore. Në asnjë rast, dhe kam përshtypjen se të njëjtën gjë mund ta thotë edhe Rama, ato nuk kanë ndërhyrë tek njëra-tjetra dhe nuk kanë ndikuar njëra-tjetrën. Shumë nga veprimet e mia në politikë do t’i bëja sërish në të njëjtën mënyrë edhe nëse Rama nuk do të ishte miku im. E përsëris, kam vepruar gjithmonë sipas bindjeve të mia edhe kur jam grindur politikisht me të, gjithmonë duke tentuar të ruaj thelbin e miqësisë. Rama më ka mbështetur politikisht dhe i jam mirënjohës. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të isha anëtar kryesie i PS-së dhe sekretar për programin. Në gjenezë të kësaj karriere partiake ishte, besoj bindja e Ramës, se mund të isha i dobishëm në këto detyra dhe jo miqësia e përbashkët. Megjithatë, Rama ishte një votë e rëndësishme në zgjedhjen time në këto forume, do të ishte e padrejtë të mos falenderoja gjithë ata që më votuan për këto detyra. Shpesh kam gabuar, shpesh ka gabuar dhe kryetari i PS-së në përditshmërinë tonë të përbashkët politike. E rëndësishme është, se kemi ditur të mësojmë nga gabimet dhe unë jam i bindur se PS sot është e gatshme të përballet me pushtetin, të marrë pushtetin dhe t’i sjellë Shqipërisë rilindjen e saj, mbas kësaj lëngate, që i ka sjellë keqqeverisja e PD-së. 

Angazhimi juaj në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe në PS, ishte një periudhë intensive, por e shkurtër. Cilat janë arsyet që ju u tërhoqët nga ai aksion politik? Ju la në “baltë” Nano, apo “u lodh” Ben Blushi?

LMN nuk ishte një lëvizje për qëllime dhe përfitime personale. Ajo arriti të realizojë objektivin e saj themelor dhe besoj se me Malajn, Islamin dhe në një pjesë kohe edhe me Bellon, kemi bërë gjënë e duhur. LMN ishte një projekt i guximshëm, vetësakrifikues dhe emancipues për politikën shpesh kuadratike shqiptare. Sa për Nanon nuk ka asnjë arsye të mendohet se na la në baltë, sepse ai nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj lëvizjeje. Kurse për Blushin kam vetëm një koment: çdokush është vetë përgjegjës për vendimet që merr dhe përfitimet apo humbjet për shkak të tyre. 

Në se do të duhej të bëje një analizë, cilat do të ishin anët pozitive dhe negative të drejtimit të PS nga Fatos Nano dhe nga Edi Rama?

Është një analizë, që do të duhej të nisej që nga personaliteti i ndryshëm i të dyve. Nano është tipiku i politikanit liberal, një menaxher që merret e fokusohet me strategjinë e lëvizjeve në përgjithësi, duke lënë pas dore detajet, kurse Rama është natyrë shumë më e kontrolluar dhe që shpenzon shumë kohë në mikromenaxhim. 

A do të jeni ju pjesë e listës së kandidatëve për deputet të PS, apo të ndonjë partie tjetër?

Jo, nuk do të jem pjesë e asnjë liste. Për momentin ky është një kapitull i mbyllur për mua. Po investoj tek vetvetja dhe ndjehem mirë me jetën që bëj aktualisht. 

E shihni të mundshëm një bashkëpunim mes PS dhe LSI, dhe a është sipas jush e vetmja zgjidhje, që e majta të vijë në pushtet?

Në politikë nuk ka asnjë gjë të pamundur, ndaj e shoh të mundshëm një bashkëpunim mes këtyre dy partive. Por nga ana tjetër, shoh probleme morale në një koalicion të tillë të mundshëm. Rikthimi i LSI-së në aleancë me PS-në do të rihapte shumë plagë të vjetra në PS, të cilat sot dhembin ende. Në radhë të parë, këto plagë i ka vuajtur elektorati socialist dhe për të respektuar këtë vuajtje, PS e Rama janë të destinuar të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013 edhe pa LSI-në. 

Si i parashikoni rezultatet. Sa shanse ka PS t’i fitojë këto zgjedhje, duke iu referuar edhe mënyrës, sesi kjo parti po shpalos strategjinë e saj elektorale?

Jam i bindur që PS e ka të garantuar triumfin në zgjedhje. Në radhë të parë, sepse historikisht në Ballkan, zgjedhjet i humbet pozita dhe nuk i fiton opozita. Shikoni zgjedhjet e 2005-ës. Nuk fitoi Berisha atëherë, atëherë humbi PS-ja. Shihni çfarë ka ndodhur në Serbi e Greqi dhe do të bindeni për këtë që ju them.