Kryeministri Sali Berisha, në një mesazh në rrjetin social Facebook ka ironizuar dhe ka tallur kryetarin e opozitës, Edi Rama duke e krahasuar atë me Shvejkun, personazhin e famshëm të librit “Ushtari i mirë Zhvejk”

Ja se çfarë shkruan Berisha në Facebook

Miqtë e mi, Shvejku nuk thoshte: “Ç’më duhet mua se çfarë them unë”…

Pas komentit tim në mbledhjen e qeverisë lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë që importohen nga të gjitha llojet e bizneseve për prodhim, zoti Rama u ankua se kryeministri i kopjoi programin. Me sa duket zoti Rama nuk e mban mend, ose beson se ne të tjerët kemi harruar, se kur tre javë më parë ky ligj u diskutua dhe u miratua në Parlament, deputetët socialistë me urdhër të tij diskutuan dhe votuan kundër ligjit. Pra del se na paskan votuar kundër programit të tyre. Në një mesazh në WhatsApp një biznesmen më shkruan se zoti Rama dje me deklaratën e tij bëri Shvejkun. Në fakt miku im gaboi sepse Rama nuk deklaroi si Shvejku “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë”. Jo jo. Ai dje deklaroi “Ç’më duhet mua se ç’them unë”.

Mirësevjen në dheun tënd zoti Rama. Gëzuar! – sb