Nga një aksident zinxhir janë plagosur 10 persona, 3 nga të cilët në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky është bilanci i një aksidenti zinxhir, ku janë përfshirë 15 vetura.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Krivevë.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë treguar shkaqet e këtij aksidenti, pasi sipas tyre ende janë duke u kryer hetimet, megjithatë kanë bërë të ditur se rruga ka qenë e akullt.
Aksidenti në të cilin janë përfshirë 15 automjete ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në magjistralen Prishtinë-Pejë.
Në aksident kanë pësuar edhe tre këmbësorë, të cilët u gjendën në vendin e aksidentit kur ndodhi përplasja e automjeteve.
Tre personat, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, janë duke u trajtuar në QKUK, kurse pjesa tjetër është liruar për trajtim të mëtejshëm në shtëpi.
Zëdhënësi i PK-së, Brahim Sadriu ka thënë se njësitë e policisë rrugore të rajonit të Prishtinës kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe janë duke u marrë me hetimet.
Megjithëse nuk ka mundur të japë ndonjë detaj për arsyen, dyshimet e para çojnë në përfundimin se rruga ka qenë e akullt, tha Sadriu.
Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 14 aksidente me lëndime, 25 aksidente pa të lënduar dhe janë shqiptuar 238 tiketa për mosrespektim të rregullave në komunikacion.
Mosrespektimi i rregullave në komunikacion vlerësohet të jetë një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve që jo rrallë kanë përfunduar me fatalitet.