PRISHTINE– Festa e Vitit të Ri ka kaluar me disa incidente të vogla si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës shprehet se janë shënuar dy raste të dëmtimeve me mjete piroteknike, si dhe një rast tjetër i djegies së një shtëpie në Ferizaj.
Në bazë të raportit të policisë të orëve të para pas hyrjes së Vitit të Ri, del se në rajonin e Prishtinës ka pasur dy incidente si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve. Në një rast, sipas zëdhënësit Kelani, një qytetar nga Letanci i Podujevës ka pësuar lëndime të lehta trupore, kurse në Bregun e Diellit, ka pas dëmtim prone, gjegjësisht të një veture, si pasojë po ashtu e përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Nga informacionet e para që i kemi nga drejtoritë rajonale të policisë mund të veçojmë se situata në përgjithësi ka kaluar e qetë, më përjashtim të disa incidenteve të raportuara tek ne”, është shprehur Kelani.
Kelani shprehet se në Ferizaj është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi, por që policia ende nuk ka informatat e plota rreth shkakut dhe pasojave të këtij incidenti.
Edhe mjekët në Qendrën Emergjente flasin për një natë më të qetë krahasuar me vjetët e kaluara. Agron Çitaku, mjek kujdestar në Qendrën Emergjente ka pohuar për Kosovapress se deri në ora 2 e 30 të mëngjesit, kanë pranuar vetëm pesë raste të pacientëve me lëndime si shkak i përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Kemi një patologji të përhershme që ndodh brenda Emergjencës, mirëpo atë çfarë kemi prit pra lëndimet nga mjetet piroteknike, për fat të mirë nëse nuk ndryshon raporti deri në mëngjes, jemi të kënaqur. Kemi pasur vetëm 5 raste prej të cilave 4 janë me mjete eksplozive shpërthyese, ndërsa një e kemi me mjet eksploziv plumb”, ka thënë ai.
Festa e ndërrimit të motmoteve pritet të festohet deri në orët e mëngjesit, kështu që edhe incidentet mund të shtohen, por mjekët shpresojnë që ato të jenë të natyrës së lehtë të lëndimit dhe të mos ketë lëndime të rënda.