Procesi i vaksinimit të mësuesve në Durrës do të nisë ditën e nesërme.

Lajmi konfimohet për “DurrësLajm” nga drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti.

Procesi i vaksinimit do të realizohet në sallën “Black box” në shkollën “Jan Kukuzeli”, ku kanë nisur përgatitjet për vendosjen e logjistikës së nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Vaksinimi pritet të nisë në orën 13.30 të së martës dhe orari është përzgjedhur i tillë në mënyrë që të mos dëmtohet procesi mësimor.

Sipas Matohitit, deri tani 800 mësues të bashkisë Durrës, në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare publike kanë shprehur gadishmërinë për t’ju nënshtruar këtij procesi. Në të gjithë bashkinë janë rreth 1600 mësues në sistemin arsimor publik.

Procesi pritet të nisë nesër me 100 mësuesit e parë nga 5 shkolla të qytetit si “Jan Kukuzeli”, “Bedrie Bebeziqi”, “Shaqe Mazreku” etj.

Zyra Arsimore Vendore Durrës ka shpërndarë në secilën shkollë formularët që do t’u dorëzohen mësuesve që do të bëhen pjesë e procesit të vaksinimit.

Megjithëse në shumë vende të Bashkimit Evropian procesi i vaksinimit me AstraZeneca është pezulluar për shkak të hetimeve që po kryhen për efektet anësore që mund të shkaktojë vaksina, në vendin tonë ky proces ka nisur që nga fundi i javës së kaluar.

Sipas ZVA Durrës, mësuesit që do të vaksinohen nga dita e martë dhe në vazhdim kanë pranuar me vullnet të plotë të bëhen pjesë e këtij procesi, ndërkohë që vlen të theksohet se vaksinimi është vullnetar e jo me detyrim.

M.B.