INDI– Një tjetër rast tragjik raportojnë mediat indiane, që ka për protagoniste një të re të dhunuar. Një 17 vjeçare i dha fund jatës, pasi kishte denoncuar se një person kishte abuzuar seksualisht me të.

Forcat e rendit që regjistruan denoncimin e saj e këshilluan të martohej me përdhunuesin.

Ndërsa u paraqit pranë organeve të rendit për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj, dy policë indianë i thanë se ishte më mirë të ndiqte njërën nga dy rrugët, ose të martohej me përdhunuesin, ose të heshte në këmbim të një shume parash.

E tronditur nga çfarë i ofruan forcat e rendit, vajza zgjodhi një tjetër rrugë; t’i jepte fund jetës. Mjekët konfirmuan se ajo kishte pirë një dozë helmi, ndërsa motra e saj deklaroi në media se policia kishte tentuar ta bindte vajzën të mos depozitonte denoncimin për përdhunim.

Pas rastit në fjalë policia indiane reagoi përmes një komunikate për shtyp ku theksohej se një nga policët që u përpoq t’i mbushte mendjen vajzës të mbyllte gojën u pushua nga detyra.  

Ky është rasti i tretë i rëndë në harkun kohor të disa ditëve i dhunës ndaj femrave indiane e që merr jehonë ndërkombëtare.

Pak ditë më parë një vajzë u përdhunua në grup në një autobuz dhe ende lufton me vdekjen, ndërsa një e re 20 vjeçare u përdhunua 3 herë brenda 24 orëve nga 3 persona të ndryshëm.