ROME – Askush nuk e ndiente nevojën, por gjithsesi duhej pritur. Me nisjen e fushatës elektorale, “alarmi i emigracionit” bëhet sërish kalë beteje e qendrës së djathtë.

Dhe ishte pikërisht Silvio Berlusconi që e nxorri më 26 dhjetor, gjatë një telefonate bërë komunitetit ‘Incontro’ të Dom Gelminit.

“Nuk do të dëshironim që me ardhjen e të majtës në pushtet të bëhemi dëshmitarë të martesave mes homoseksualëve dhe hapjes së dyerve emigrantëve të paligjshëm”,- është shprehur Berlusconi. Duke shtuar që këta emigrantë “më pas do të fitojnë të drejtën e votës për të votuar veçanërisht të majtën”.

Prej një viti nuk flitej me ton të tillë, profesorët na mësuan ndryshe, por megjithatë një dalje e tillë e Berlusconit ishte sa e pritshme aq edhe e vjetër. Kavalieri ka nxjerrë në fushatë një kalë beteje të vjetër, që shpesh ka kalëruar me Legën. Mjaft të kujtohen fjalët që lëshonte gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet administrative të vitit 2011. Edhe asokohe lëshoi të njëjtin alarm, madje në Milano foli edhe për “zingaropoli islamica”, shprehje  për të cilën u dënua për racizëm.

 

                                                Marrë nga "Shqiptari i Italisë"