TEPELENË- "Kokën e Ali Pashë Tepelenës mund ta sjellë në Shqipëri vetëm një kokë burri". Kështu ka deklaruar dje për "Gazeta Shqiptare", kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, si reagim ndaj kërkesës që kryeministri Berisha bëri dy ditë më parë. Shefi i qeverisë foli për bisedime me autoritetet turke që të bëhet i mundur kthimi në atdhe nga Stambolli i kokës së pashait, por pas kësaj, replikat nuk kanë munguar. Përpos reagimeve të Novruz Shehut, Auron Tares, Rudenc Rukës, Neritan Cekës, Irakli Koçollarit e prof.Luan Malltezit, nuk mungon as zëri i të parit qytetar të Tepelenës, vendit të origjinës së Ali Pashës. "Për ta rikthyer kokën e pashait, duhet një kokë burri, e kjo nuk bëhet me fjalë boshe. Duhet punuar shumë për këtë çështje e nuk mjaftojnë deklaratat para mediave", -tha dje, kryebashkiaku i qytetit jugor. I pyetur nëse kanë marrë kontakte me qeverinë për ngritjen e grupit të punës që do të kujdeset për bisedimet me palën turke, ai mohoi. "Ne nuk jemi pjesë e grupit të punës për këtë çështje. Madje nuk kishim asnjë dijeni për një lëvizje të tillë nga ana e shtetit shqiptar. Aq sa dimë, e kemi mësuar vetëm përmes medias", – u shpreh dje Peçi. Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me qeverinë për këtë çështje. 

Kalaja dhe sarajet e pashait

Por, ajo që duket e shqetëson më shumë kryebashkiakun e Tepelenës, nuk është sjellja ose jo e kokës së Pashait. Problem për të, veç të tjerave, janë 2 objekte, kalaja dhe shtëpia e Ali Pashës. "Ka 20 vite që asnjeri nuk investon në kalanë e Tepelenës. Flitet se do vijë koka. Po kalaja? Ajo po shkon drejt rrënimit e ne si bashki nuk kemi fonde për ta restauruar. Rrezikojnë të bien muret e saj lindore e jo vetëm kaq", – thotë Peçi. Muaj më parë, në këtë qytet u mbajt një tryezë mbi trashëgiminë kulturore. Historianë, studiues e arkeologë morën pjesë në të, duke i bërë thirrje shtetit t'i kthejë sytë nga monumentet, sa është ende në kohë për t'i shpëtuar. Prej asaj dite e deri më sot, nuk ka pasur gjithaq ndryshime. Kalaja dergjet mes plehrave, zhytet në llumin e vet dhe lëkundet, lëkundet pa gjetur ende ku të mbështetet. Ndërkaq, vetë shtëpia e pashait (a sarajet e tij në fshat), pothuaj është zhdukur. Përpos faktit që jo të gjithë kanë dijeni se Ali Pasha ka pasur një shtëpi në fshatin Beçisht, në shpatin e Malit të Damësit, edhe ata që e dinë, zor se do mund t'ia dalin ta gjejnë më. Gurët e moçëm janë ndarë prej njëri-tjetrit dhe janë lëshuar përtokë. Krejt bjerrazi! "As gurët e themeleve nuk i gjenden më", – thotë Peçi, i pyetur për këtë shtëpi. 

Ku do ekspozohet?

Kryebashkiaku hedh idenë se do të ishte më e udhës për qeverinë të investonte në restaurimin e kalasë së Tepelenës, e shtëpisë së Beçishtit, se sa të merret me kokën e Pashait. Nga ana tjetër, i pyetur se ku e ka vendin koka e Aliut, nëse vjen, në Tiranë apo në Tepelenë, Peçi thotë pa mëdyshje, se ai i takon qytetit të vet. "Nëse ai e ka seriozisht, domethënë nëse do vërtet ta sjellë kokën e pashait nga Stambolli në Shqipëri, atëherë ajo nuk e ka vendin as në Tiranë e as në Tropojë, por në kalanë e Tepelenës", – thekson kryebashkiaku Tërmet Peçi. Ai shton se Aliu e ka kalanë në Tepelenë, ndaj edhe koka duhet të shkojë po atje, e këtë e bën mbase duke e ndjerë shqetësimin, se sot, dy shekuj pas vdekjes së të zot, kalaja nuk është më në gjendje ta presë atë. Qyteti i tij, sot është i mbushur me halle, me nëpunës që kanë katër muaj pa paguar, me një bashki që s'ka fonde të sigurojë ngrohjen për shkollat. "Ne jemi 100 vite pas! Grantet nga qeveria kanë qenë tepër të vogla", – thotë Peçi. Duket se qyteti i Aliut nuk është gati për të birin, edhe nëse ai kthehet të prehet aty, pas 2 shekujsh mërgimi të eshtrave.