Koronavirusi i ka marrë jetën personalitetit të njohur të qytetit të Elbasanit, mjekut veteriner Sulejman Peza. Me gjithë përpjekjen e mjekëve, Sulejman Peza nuk ia doli ta fitojë betejën me sëmundjen, duke ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

I ndjeri ka qenë një intelektual i njohur i qytetit të Elbasanit, me një veprimtari të gjerë që shtrihet përtej profesionit të tij. Ai është vlerësuar disa herë për kontributet e tij me me çmime, tituj e medalje brenda e jashtë vendit.

Në shkurt të këtij viti ai mori edhe titullin “Nderi i Qarkut të Elbasanit”. Dr Sulejman Peza për kontributin e tij në fushën e veterinarisë është dekoruar disa herë nga Instituti Amerikan i Biografive me qendër në Universitetin e Kembrixhit dhe Uashington D.C me titujt “Personalitet i Shekullit XX”,”Personalitet publik Ndërkombëtar”. Ky institut e ka vlerësuar me medaljen e artë dhe i ka dhënë dy herë titullin honorifik Guvernator, drejtor i institutit amerikan për Evropën.