PRISHTINË- Një grup i të rinjve serb nga Krushevci, Shabaci dhe Beogradi janë ndaluar në afërsi të Nishit, pasi që policia kishte marrë informata se ata kanë për qëllim ta shkatërrojnë pllakën përkujtimore të pjesëtarët të UÇPMB-së, e cila në nëntor është përuruar para Kuvendit Komunal të Preshevës. 

Sipas informatave të para të mediave serbe, 14 të rinj me tri vetura ishin nisur nga Beogradi në drejtim të Preshevës, por policia i ka penguar, duke i arrestuar që të gjithë. 

Ata i kanë thënë policisë se po shkojnë vetëm për vizitë në këtë qytet. Kundër tre prej tyre është ngritur kallëzim penal sipas Ligjit për armë dhe municione, derisa të tjerët janë liruar, transmeton “Zëri”. 

“Tre të ndaluarit janë paraqitur para gjyqtarit për shkelje, sepse me vete kishin pajisje të cilat mund të llogaritën armë siç janë qysqi, mjete të forta tjera metalike, mirëpo armë zjarri nuk kishte, për shkak është konstatuar vetëm shkelje, por jo edhe aktakuzë kriminale”, ka njoftuar policia e Nishit.