Pas disa ditë rresht akuzash nga ana e Partisë Socialiste për të ardhurat e dy fëmijëve të kryeministrit Berisha, kanë reaguar këta të fundit dhe bashkëshorti i Argita Malltezit, Jamarbër Malltezi.

Në një deklaratë shpërndarë për mediat thuhet se “në lidhje me spekulimet e fundit të zotit Balla, sqarojme se të ardhurat tona janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në organet përkatëse. Të gjitha të ardhurat janë derdhur në rrugë bankare dhe për to janë shlyer, po në rrugë bankare, të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Sa më sipër vërtetohet lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit tonë të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore.

I kujtojmë zotit Balla, thuhet në deklaratën e tyre, se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull janë në dritë të diellit; ndryshe nga shefi i zotit Balla, i cili pasi betonoi Tiranën me miliona metër katrorë ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se u kish kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj tek mami meqë është i pastrehë.

Në deklaratë thuhet se përsa i përket trillimeve të vazhdueshme të zotit Balla, kundër të cilit janë hapur nga persona të ndryshëm disa procese ligjore për shpifje, që prej një jave kemi pritur që ai të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative. Meqë këtë ai nuk e bën, do t’i japim mundësinë të paraqesë argumentet e tij në gjykatë. E ftojmë të mos i shmanget si frikacak përballjes në gjyq.